A thuhet shqip "muaji i Ramazanit" apo "muaji Ramazan"?

A thuhet shqip "muaji i Ramazanit" apo "muaji Ramazan"?
Në shqipen standarde, po edhe në dialektet, si prirje, kur e shoqëron emri i përgjithshëm “muaji”, emri i muajit përkatës përdoret si ndajshtim i paveçuar, për shembull: muaji mars, muaji prill, muaji shtator…
Po kështu është edhe me emrat e lumenjve dhe të fshatrave, kur këta përdoren në shoqërim të emrave të përgjithshëm të tyre, përkatësisht lumi dhe fshati, për shembull: lumi Valbona, fshati Prekaz…
Ndërkaq, emrat e qyteteve, të shoqëruar me emrin e përgjithshëm “qyteti”, më shumë përdoren si përcaktorë me drejtim, për shembull: qyteti i Elbasanit, qyteti i Pejës... Emri konkret i një kryeqyteti, i shoqëruar me emrin e përgjithshëm "kryeqytet", gjithnjë përdoret si ndajshtim i paveçuar, themi: kryeqyteti Tirana dhe jo kryeqyteti i Tiranës…
Emrat e maleve, të shoqëruar me emrin e përgjishëm “mali”, përdoren thuajse barabar si përcaktorë me drejtim dhe si ndajshtim, për shembull: mali Tomor dhe mali i Tomorit…
Në rastet e përdorimit si ndajshtim i paveçuar, emri qëndron në formën e ngurosur të rasës emërore.
Ndërsa në frazën “në muajin e bekuar”, mbiemri “e bekuar” vihet në rasën kallëzore sikurse edhe emri i përcaktuar prej tij “muajin"; në fjalinë “në muajin shkurt”, emri “shkurt” qëndron në rasën emërore, sepse është ndajshtim i paveçuar.
Por, ndonëse kjo që shënuam më lart përbën prirje të shqipes bashkëkohore, mënyrë të thëni në gjuhën shqipe janë edhe ndërtimet me përcaktim me drejtim: muaji i shkurtit, muaji i marsit…
Se janë shqipe edhe ndërtimet me përcaktim me drejtim: muaji i shkurtit, muaji i marsit…, e shpjegon një ndër sintaksologët më të shquar të gjuhës shqipe, akademiku Mahir Domi në studimin e tij të publikuar në vitin 1981, në numrin tre të revistës “Studime fililogjike” me titull “Përkime e paralelizma sintaksore shqipe-rumune”
Prandaj, sipas prirjes së shqipes bashkëkohore, thuhet “muaji Ramazan” duke e përdorur si ndajshtim të paveçuar, por edhe ndërtimi me përcaktim me drejtim “muaji i Ramazanit” është i frymës së shqipes.
Madje, te përdorimi “kryeneç” “muaji i Ramazanit" i shquaj dy të mira:
1. Funksionin ruajtës: ruan të gjallë një mënyrë të thëni në gjuhën shqipe, që sot nuk ruhet dot te emrat e muajve të tjerë.
2. Realizimin e përftesës stilistike: nëpërmjet ndërtimit me përcaktim me drejtim “muaji i Ramazanit” shprehet veçantia që ka ky muaj ndaj muajve të tjerë.
~Ilmi Rexhepi
0 Shikime
Komente